Physical Address

304 North Cardinal St.
Dorchester Center, MA 02124

Meditime mbi suren Tekathur

Meditime mbi suren Tekathur

“Juve u preokupoi përpjekja për shumimin (e pasurisë, të fëmijëve, të pozitës)! Derisa të vizitoni varrezat (të vdisni). Jo, nuk është ashtu! Gjithsesi këtë do ta kuptoni më vonë! Përsëri jo, jeni gabim! Më vonë do ta kuptoni! Jo, pse, sikur ta dinit me një dije të sigurt (nuk do të bënit ashtu). Ju patjetër do ta shihni Xhehenemin. Madje atë do ta shihni të bindur plotësisht. Pastaj në atë ditë, do të pyeteni për të mirat (e dynjasë).” (Kurani, 102: 1-8)

Kjo sure përmbledh në vetvete premtimin për shpërblimin e Allahut, paralajmërimin dhe kërcënimin për ndëshkimin e Tij. Kjo sure është një këshillë e mjaftueshme për këdo që e kupton përmbajtjen e saj.

Fjala e Allahut: “Juve u preokupoi”, do të thotë se jeni të zënë gjithë kohën, aq sa nuk mund të justifikoheni për tërë këtë preokupim/shkujdesje. Nëse preokupimi/shkujdesja me diçka bëhet në mënyrë të qëllimshme, atëherë ai për këtë do të merret në përgjegjësi, ndërsa nëse është spontan/e dhe i/e paqëllimtë, siç është rasti kur Profeti (salallahu alejhi ue selem) për rrobën me vija që kishte veshur tha: “Ajo më preokupoi pak më parë në namazin tim.”, (13) në këtë rast, njeriu është i justifikuar, pasi kjo është një farë harrese.

Preokupimi prek mendjen dhe zemrën e njeriut, ndërsa loja – gjymtyrët, ndaj edhe Allahu i ka përmendur të dyja. Për këtë arsye edhe fjala e Allahut: “Juve u preokupoi përpjekja për shumimin”, është një kritikë e goditur, dhe ndryshe do ishte nëse do përdorte fjalën punë, pasi një njeri që punon, mund t‟i përdorë gjymtyrët pa e preokupuar mendjen dhe zemrën. Fjala e Tij: “për shumimin”, e përdorur në këtë ajet, është e përgjithshme dhe përfshin çdo lloj gjëje të cilën njeriu kërkon ta shumojë dhe nuk ka aspak lidhje me fenë e tij dhe botën e ardhshme. Në këtë shumim hyn çdo gjë: pasuria, posti, lavdia, gratë, fjalët, madje edhe dituria për të cilën nuk ka nevojë; librat, shkrimet, imtësitë dhe hollësitë e çështjeve.

Shtimi dhe shumimi i kritikueshëm është ajo gjë, të cilën njeriu kërkon ta ketë më shumë se të tjerët, dhe sigurisht që kjo është e papëlqyeshme, përveç asaj gjëje me të cilën kërkohet afrimi tek Allahu. Shtimi dhe gara në këtë rast, bëhet për punë të mira dhe të dobishme. Abdullah ibn Shehir tregon se shkoi tek i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem), ndërkohë që ai po këndonte fjalën e Allahut: “Juve u preokupoi përpjekja për shumimin”, dhe tha:

“Biri i Ademit thotë: Pasuria ime! Pasuria ime! E çfarë të ka mbetur ty nga pasuria jote, përveç asaj që e ke dhënë sadaka, dhe shkoi; asaj që e ke ngrënë dhe e mbarove, apo asaj që e veshe dhe e përdore?!” (14)

13 Transmeton Buhariu, nr. 373.

14 Transmeton Muslimi, nr. 2957.

Shkëputje nga Libri ‘El Feuaid’ – Ibn Kajim El Xheuzije