Physical Address

304 North Cardinal St.
Dorchester Center, MA 02124

Froni i qiellit dhe froni i tokës

Froni i qiellit dhe froni i tokës

Krijesa më e përsosur, më fisnike, më madhështore, më e ndritur, më e larta në vend e pozitë dhe më e madhja, është Arshi (froni) i Allahut, ndaj dhe Allahu i Madhëruar u lartësua mbi të. (9)

Krijesat e tjera, sa më afër Arshit që të jenë krijuar, aq më fisnike, të ndritshme dhe të përsosura janë në krahasim me të tjerat që ndodhen më larg, për këtë arsye Xheneti i Firdeusit është xheneti më i lartë, më i miri dhe më i ndritshmi, sepse ai është më pranë Arshit, e Arshi është çatia e tij. (10)

Çdo gjë, sa më larg tij të ndodhet, aq më e errët dhe e ngushtë është në krahasim me të tjerat, prandaj dhe më i poshtmi i të poshtmëve, është vendi më i keq dhe më i ngushtë dhe larg çdo të mire. Allahu i ka krijuar zemrat dhe i ka bërë ato vendnjohjen e Tij; në to vendoset dashuria për Allahun. Zemra është froni (arshi) i shembullit më të lartë, që është pikërisht njohja e Tij, dashuria për Të dhe dëshira për t‟u afruar me Të.

Allahu i Lartësuar thotë: “Për ata që nuk besojnë në Botën e Përtejme, është përcaktuar shembulli i më të keqes, ndërsa Allahut i përket Shembulli më i lartë dhe Ai është i Gjithëfuqishmi, më i Urti Gjithëgjykues.” (Kurani, 16:60)

“Është Ai, i Cili e fillon krijimin, pastaj do ta përsërisë atë dhe kjo është shumë e lehtë për Të. Atij i takon shembulli më i lartë në qiej dhe në tokë. Dhe Ai është i Gjithëfuqishmi, më i Urti, Gjithëgjykues.” (Kurani, 30:27)

Gjithashtu: “Asgjë nuk i shëmbëllen Atij.” (Kurani, 42:11) Njohja, dashuria dhe dëshira për të qenë pranë Allahut, është një prej shembujve më të lartë që lartësohet në zemrën e besimtarit dhe është fron për të. Nëse zemra nuk është më e pastra, më e mira dhe më e largëta nga çdo e keqe, ajo nuk mund të bëhet vend i përshtatshëm për të qëndruar shembulli më i lartë në të, ndaj në të qëndron shembulli më i ulët, që është dashuria dhe varësia e zemrës pas kësaj bote, dhe kësodore, kjo zemër do të bëhet vendi më i ngushtë, më i errët dhe më i largët nga lumturia dhe përkryeshmëria.

Kështu, do të kemi dy zemra, një zemër e cila bëhet fron për Allahun (njohjen dhe dashurinë për Të), e në të cilën do të ketë jetë, dritë, ngazëllim, hare, lumturi dhe çdo gjë të mirë, por në anën tjetër, do të kemi një zemër, e cila është bërë fron i shejtanit, dhe në të do të gjesh ngushtësi, errësirë, vdekje, trishtim, ankth dhe stres. Një njeri i tillë do të jetë i pikëlluar për të shkuarën e tij, i merakosur për çastet që jeton dhe në ankth për atë që e pret në të ardhmen.

Transmetohet një hadith nga Profeti (salallahu alejhi ue selem), në të cilin thuhet: “Kur drita hyn në zemër, ajo hapet dhe zgjerohet.” Shokët e tij e pyetën: “Dhe si dallohet kjo o i Dërguari i Allahut?” Ai tha: “Dashuria për botën e përjetshme, urrejtja për botën mashtruese dhe përgatitja për vdekjen, para se ajo të vijë.” (11)


Drita që futet në zemër, vjen si ndikim i shembullit më të lartë, ndaj dhe ajo hapet dhe zgjerohet, e nëse në të nuk ka njohje dhe dashuri për Allahun, atëherë në të do të ketë vetëm errësirë dhe ngushtësi.

9- Kjo gjë përmendet shtatë herë në Kuran, shih sure Taha: 5, A‟raf: 54, Junus: 3, Rrad: 2, Furkan: 59,
Sexhde: 4, Hadid: 4.
10- Transmetohet në Sahih-un e Buhariut (7423) nga Ebu Hurejra, se Profeti (salallahu alejhi ue selem)
pati thënë: “Në Xhenet ka njëqind rangje, të cilat Allahu i ka përgatitur për ata që luftojnë për hir të
kauzës së Tij, hapësira që gjendet ndërmjet dy rangjeve, është sa toka me qiellin dhe nëse i luteni

– Allahut, kërkojini Atij Firdeusin, sepse ai është Xheneti i mesëm dhe më i larti, dhe sipër tij qëndron
Arshi i të Gjithëmëshirshmit dhe prej tij rrjedhin edhe lumenjtë e Xhenetit.”

11- Ky hadith transmetohet nga Hakimi (4/311) dhe të tjerë, por nuk është autentik (hadith daif); shih Eddaifetu të shejh Albanit, nr. 965.

Shkëputje nga Libri ‘El Feuaid’ – Ibn Kajim El Xheuzije